E ARDHMJA E BALLKANIT PERËNDIMOR DHE SFIDAT PËR TË RINJTË
Vitin e kaluar, përfaqësues të Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, vizituan vendet e Ballkanit Perëndimor të involvuara në Procesin e Berlinit, ndër të cilat është edhe Maqedonia. Qëllimi kryesor i kësaj vizite, ishte të hulumtohet nevoja për pjesëmarrje aktive të Mbretërisë së Bashkuar në Procesin e Berlinit, si dhe të shihet ndikimi i deritanishëm mbi proceset në këtë pjesë të Evropës. Për këtë qëllim përfaqësuesit e Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, realizuan takime me aktorë të ndryshëm nga më shumë sektorë të veprimit, përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në shtator, Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë, partner strategjik i së cilit është Ambasada e Britanisë në Shkup, u ftua në takim me përfaqësuesit e Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Në raportin “Mbretëria e Bashkuar dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor”, thuhet se Mbretëria e Bashkuar duhet të vazhdojë angazhimin e vet në rajonin, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që të mbrojë progresin e arritur. Gjithashtu, raporti i inkorporon rekomandimet dhe sfidat e paraqitura nga përfaqësuesit e Këshilli Rinor Nacional të Maqedonisë.
Në këtë raport, Komiteti vëren qasjen proaktive të Këshillit, në ndërtimin e mekanizmave afatgjata për komunikim me ministritë përkatëse për përfshirjen e të rinjve në proceset e vendimmarrjes, përfshirë edhe Procesin e Berlinit si dhe aktivitetet rinore në nivel Evropian, së bashku me Forumin Rinor Evropian. Anëtarësimi i Këshillit, në familjen rinore evropiane, shihet s hap i shkëlqyeshëm drejt procesit integrues, me vlerën e shtuar se procesi i këtillë udhëhiqet nga të rinjtë për të rinjtë.
Përpos që rekomandimet e Këshillit janë në drejtim të konkluzionit të përgjithshëm i cili thotë se “Britania e Madhe duhet të vazhdojë të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të vazhdojë të angazhohet për aderimin e tyre drejt anëtarësimit në BE”, gjithashtu theksohet edhe mbështetja ndaj thellimit të bashkëpunimit me Parlamentin Britanik dhe Këshillin Britanik.