Letër e hapur drejtuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

I nderuar z. Dimitar Kovaçevski,

Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

Në emër të Këshillit Rinor Nacional të Maqedonisë, organi më i madh përfaqësues rinor në vend, i cili bashkon 51 organizata anëtare, Ju drejtohemi me këtë letër të hapur ku shprehim shqetësimin e thellë, pakënaqësinë dhe zhgënjimin në lidhje me riorganizimin e paralajmëruar të organeve të administratës shtetërore. Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë nuk e konteston nevojën për riorganizim të administratës shtetërore, por jo në kurriz të të rinjve që kanë vetëm një institucion që është drejtpërdrejt përgjegjës për ta.

Nga seanca e nëntë e Këshillit për reformë në administratën publike, e mbajtur më 13.7.2021, si dhe nga procesverbali i seancës së njëzet e tretë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtur më 8.3.2022, është evident qëllimi i Qeverisë, Agjencia për Rini dhe Sport si organ i pavarur dhe i vetëm përgjegjës për të rinjtë dhe politika rinore të transferohet si organ në kuadër të drejtorisë nën Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, institucion qëllimi parësor i së cilit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë e kupton rëndësinë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe plotësimin e qëllimeve të saj, por jemi të mendimit se kujdesi për zbatimin e Marrëveshjes dhe kujdesi në përgjithësi ndaj të rinjve nuk janë plotësisht komplementare, për t’u vënë nën përgjegjësinë e së njëjtës ministri.

Me riorganizimin e propozuar, Agjencia për Rini dhe Sport nga statusi aktual i një organi të pavarur do të kalojë në një nivel më të ulët si organ në kuadër të Ministrisë së Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, me më pak ingerenca dhe pavarësi në punën e saj, si dhe me shumë fushëveprim të ngushtë të punës duke u fokusuar vetëm në zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, duke injoruar plotësisht nevojat e ndryshme të të rinjve. Ky riorganizim i organeve të administratës shtetërore rezulton me degradim të jashtëzakonshëm të institucioneve përgjegjëse për të rinjtë, si dhe nënvlerësim të çështjeve rinore, gjë që tregon më tej pozicionin e të rinjve në vend, ku në vend që të jenë prioritet i politikave të qeverisë, të rinjtë neglizhohen dhe vihen në plan të dytë.

Ky riorganizim i organeve shtetërore do të kontribuojë në thellimin e mosbesimit të cilin të rinjtë e kanë ndaj institucioneve. Hulumtimet tregojnë se të rinjtë janë të pakënaqur me vendin e tyre në shoqëri, ndaj praktika të tilla vetëm sa do të kontribuojnë në rritjen e shkallës tashmë të lartë të shpërnguljes së të rinjve.

Për më tepër, reforma të tilla të papërshtatshme të institucioneve kryesore rinore, pa konsultim paraprak me të rinjtë në procesin e vendimmarrjes, minojnë edhe më tej progresin që të rinjtë kanë bërë me miratimin e Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore.

Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë konsideron se riorganizimi i tillë i organeve të administratës shtetërore është i dëmshëm për të rinjtë. Njëkohësisht si organ përfaqësues i të rinjve besojmë thellësisht se nevojiten reforma në administratën publike dhe për këtë shkak kërkojmë Agjencia për Rini dhe Sport, të shndërrohet në Ministri për të Rinj dhe Sport, duke ndjekur shembullin e shumicës së vendeve të Evropës. Republika e Maqedonisë së Veriut është një nga vendet e pakta në Evropë, e cila një sektor kaq të rëndësishëm rinor e ka vendosur në nivel të Agjencisë, e jo në nivel të Ministrisë për të Rinjtë.

Me politikat të tilla, të rinjtë vazhdojnë të jenë të pranishëm vetëm në premtimet e strukturave politike, ndërsa në praktikë nuk konsiderohen si aktorë relevantë në shoqëri dhe partnerë të barabartë në vendimmarrjen për proceset kryesore në interes të tyre.

Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë është në dispozicion për takim të përbashkët me Qeverinë, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve që do t’i adresojnë në mënyrë adekuate problemet e të rinjve dhe do t’u përgjigjen nevojave të tyre. Po ashtu, Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë vë në dispozicion përvojën dhe kapacitetet e veta për të arritur një zgjidhje të përshtatshme ligjore për transformimin e Agjencisë për Rini dhe Sport në ministri kompetente, nëse ka vullnet të sinqertë nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ.

 

Me respekt,

Marija Krstevska

Kryetare e Këshillit Rinor Nacional të Maqedonisë

1.6.2022

SHPËRNDAJE